Qytetarët e RMV-së me aeroplan të “Air Serbia” do të evakuohen sot nga Izraeli

Sot do të organizohet transporti ajror falas për qytetarët që kanë kërkuar ndihmë për tu larguar nga Izraeli dhe do të mbulohet nga rezervat e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftoi dje Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Linja çarter do të jetë Tel Aviv – Shkup, transmeton Portalb.mk. ” Në kushtet e fluturimeve […]

Qytetarët e RMV-së me aeroplan të “Air Serbia” do të evakuohen sot nga Izraeli
Aeroporti Ndërkombëtar Shkupi, foto: Portalb.mk

Sot do të organizohet transporti ajror falas për qytetarët që kanë kërkuar ndihmë për tu larguar nga Izraeli dhe do të mbulohet nga rezervat e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftoi dje Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Linja çarter do të jetë Tel Aviv – Shkup, transmeton Portalb.mk.

” Në kushtet e fluturimeve të anuluara plotësisht dhe transportit ajror të bllokuar me Izraelin, sfida e organizimit të këtij fluturimi çarter u tejkalua përmes bashkëpunimit me “Air Serbia” për transportin e qytetarëve që kërkuan ndihmë”, njoftoi Qeveria

Në drejtim të organizimit efikas të transportit ajror, Ministria e Punëve të Jashtme përmes Përfaqësisë Diplomatiko-Konsullore – Tel Aviv, ka ofruar listë dhe informacione për shtetasit e Maqedonisë së Veriut që ndodhen në Izrael dhe të cilët kanë kërkuar ndihmë për t’u kthyer në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ambasada në Tel Aviv ka qenë në kontakt me qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga fillimi i krizës dhe disa nga qytetarët që ndodheshin në Izrael tashmë janë kthyer në vend, ndër të tjera, me fluturime speciale të vendeve mike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), në Izrael janë nga 100 deri në 200 shtetas të Maqedonisë së Veriut, nga të cilët 150 janë të regjistruar. Prej tyre, 60 tashmë janë kthyer ose janë rrugës për në Maqedoni të Veriut, informoi dje ministri Bujar Osamni në takimin me gazetarët, ndërsa 90 të tjerët, tha ai, janë në një zonë të sigurt në Tel Aviv dhe duhet të mbërrijnë në shtëpi sot.

Në zonën e luftës është edhe një çift i martuar për të cilët Ministria e Punëve të Jashtme është në kërkim të rrugës për t’i kthyer në Maqedoninë e Veriut. Osmani nuk ka informacione se tre shtetas maqedonas kanë humbur jetën në sulmet e Hamasit në Rripin e Gazës. Ai shtoi se ka pasur edhe raste të shtetasve të kontaktuar që kanë refuzuar të largohen, por pa treguar numrin e tyre.