“Kosova, tokë e askujt”, deklarata e Ramës korrigjohet nga “Financial Times”. Gazeta: Kryeministri foli për veriun

“Financial Times” ka korrigjuar intervistën e bërë nga kryeministri Edi Rama dhe këtë fakt e ka bërë të ditur gazetari Marton Dunai. Rama dha një intervistë më 3 tetor, e cila shkaktoi shumë komente negative. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, gazetari i “Financial Times”, është shprehur se ka pasur një gabim në shtrimin […]

“Kosova, tokë e askujt”, deklarata e Ramës korrigjohet nga “Financial Times”. Gazeta: Kryeministri foli për veriun

“Financial Times” ka korrigjuar intervistën e bërë nga kryeministri Edi Rama dhe këtë fakt e ka bërë të ditur gazetari Marton Dunai.

Rama dha një intervistë më 3 tetor, e cila shkaktoi shumë komente negative.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, gazetari i “Financial Times”, është shprehur se ka pasur një gabim në shtrimin e tij.

Më parë në shkrim thuhej se “Kosova është një pikë e nxehtë dhe me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku kombinohen të gjitha llojet e krimeve”.

“E kemi ndryshuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri shqiptar po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin”, shkruan gazetari i “Financial Times”, Marton Dunai në rrjetin social “X”.

Në artikullin e “Financial Times”, Rama ka përsëritur kërkesën për rivendosjen e kontrollit të veriut të Kosovës nga ana e NATO-s. Kryeministri shqiptar iu ka bërë thirrje liderëve perëndimorë për të zgjidhur “çmendurinë e pafund” ndërmjet vendeve të Ballkanit.

“NATO duhet të rivendosë kontrollin e veriut të Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon, sipas kryeministrit të Shqipërisë”, citon kryeministrin e Shqipërisë gazeta “Financial Times”./Opinion.al