Kanceri i gjirit, trajtimi dhe parandalimi i tij/ Flet Specialistja e Mjekësisë Familjare, Ramize Ahmeti-Ibrahimi
Tetori njihet si muaji rozë, muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit në Kosovë dhe gjithë botën. Kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të përhapura, ku si pasojë ka marr jetën e shumë grave të moshave të ndryshme, shkruan Front Online. Në lidhje me simptomat, faktorët e rrezikut dhe si trajtohet kjo sëmundje, […]


Tetori njihet si muaji rozë, muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit në Kosovë dhe gjithë botën.
Kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të përhapura, ku si pasojë ka marr jetën e shumë grave të moshave të ndryshme, shkruan Front Online.
Në lidhje me simptomat, faktorët e rrezikut dhe si trajtohet kjo sëmundje, në një intervistë për Front Online, ka folur Ramize Ahmeti-Ibrahimi, Specialiste e Mjekësisë Familjare në Gjilan.
Ajo thotë se shumica e simptomave të çrregullimeve të gjoksit, nuk paraqesin domosdoshmërish kancer gjiri.
“Shumica e simptomave të çrregullimeve të gjoksit, duke përfshirë shumicën e gungave, nuk paraqesin domosdoshmërish kancer gjiri. Shfaqja e një simptome të re duhet marrë seriozisht në konsideratë nga të dyja palët, si pacientët ashtu edhe nga personeli shëndetësorë për mundësinë e një kancer gjiri, që mund të shfaqet pothuajse në çdo moshë”, ka thënë Ahmeti-Ibrahimi.
Ajo ka treguar se kjo sëmundje karakterizohet me rritje anormale të qelizave e cila po vazhdon të merr jetën e miliona grave në botë.
“Kanceri i gjirit është një sëmundje e cila karakterizohet me rritje anormale dhe të pakontrolluar të qelizave të tij. Kanceri i gjirit është një sëmundje që ju merr miliona grave jetën anë e mbanë botës pa dallime. Për ketë arsye OBSH ka shpallur muajin tetor, si muajin për luftimin e kancerit të gjirit“, tha Ahmeti-Ibrahimi.
Specialistja e Mjekësisë Familjare: Shkaqet e paraqitjes së kancerit të gjirit-ende të panjohura
Doktoresha, Ramize Ahmeti-Ibrahimi ka thënë se shkaqet e paraqitjes së kancerit janë ende të panjohura por ka përmendur faktin se ekzistojnë 3 hipoteza të paraqitjes së sëmundjes.
“Shkaqet e paraqitjes së sëmundjes deri më tani janë të panjohura. Ekzistojnë 3 hipoteza të paraqitjes së sëmundjes: Virale, gjenetike dhe endokrine”, tha ajo, teksa ka shtuar se faktorët e rrezikut janë mosha mbi 50 vjeç dhe gjinia femërore.
“Faktori gjenetik dhe anamneza familjare pozitive për kancer të gjirit, menstruacionet e hershme dhe menopauza e vonshme, kontraceptivët oral, karakteristikat fizike ( obeziteti ), konsumimi i alkoolit, rrezatimi, gratë – femrat e operuara nga kanceri i gjirit ose i ndonjë organi tjetër, gratë – femrat që nuk kanë lindur, ato të cilat lindjen e parë e kanë pasur pas moshës 30 vjeçare, gratë të cilat nuk i kanë dhënë gji fëmijëve, gratë – femrat të cilat kanë pasur ndonjë sëmundje të gjirit qofshin edhe ato benjinje qofshin edhe ato sëmundjeve fibrocistike, ushqimi i pasur me yndyrëra, dhe gratë me peshë të shtuar (majme), dhe sipas disa studimeve edhe abortet e shpeshta rrisin rrezikun e paraqitjes së kësaj sëmundjeje”, ka deklaruar Ahmeti-Ibrahimi.
Si mund ta zbuloni kancerin e gjirit dhe sa janë të nevojshme këshillat? Flet doktoresha Ramize Ahmeti-Ibrahimi
“Me një fjongo rozë dhe më shumë vëmendje ndaj këshillave mjekësore pa dyshim mund të shpëtohet jeta”.
Kështu është shprehur për Front Online, Ahmeti-Ibrahim e cila ka potencuar se kanceri i gjirit mund të shërohet nëse arrihet të zbulohet me kohë, duke rikujtuar se sa të nevojshme janë edhe këshillat mjekësore.
“Kur kanceri i gjirit zbulohet herët, dhe nëse diagnoza dhe trajtimi adekuat janë në dispozicion, ekziston mundësia ky kancer të shërohet. Mënyra më e thjeshtë e shumë me rendësi është vetë-ekzaminimi i gjinjve nga vetë femra fillimisht. Pastaj ekzaminimi klinik nga ana e personelit shëndetësor(në këto raste hallka e parë e kontaktit për këtë ekzaminim është mjeku familjarë), ultrazëri i gjinjve dhe Mamografia”, u shpreh doktoresha, Ahmeti-Ibrahimi.
Sipas doktoreshës, Mamografia është metoda më e ndjeshme dhe specifike për ta zbuluar kancerin e gjirit.
“Kjo është metoda më e ndjeshme dhe specifike për ta zbuluar kancerin e gjirit. Në mamografin shikohet për densitetin radio-opak, mikrokalcifikimet dhe çrregullimet arkitektonike normale të gjirit (asimetria parenhimale)”.
Ahmeti-Ibrahimi ka përmendur disa nga procedurat e mamografisë në rastet e trajtimi me pacientë.
“Gjiri vendoset dhe fiksohet në mes të pllakave metalike ose plastike dhe me imazh prodhohet filmi radiografik, filmimi më pas lexohet nga radiologu për ndonjë anomali. Mamografitë aktuale shkaktojnë rrezatime shumë të vogla për pacienten, nëse me palpim është identifikuar ndonjë masë eventuale, me mamografia caktohet lokalizimi i saktë i saj dhe definimi i saj” u shpreh ajo.
Parandalimi i kancerit të gjirit dhe këshillat mjekësore
Doktoresha Ramize Ahmeti-Ibrahimi, Specialiste e Mjekësisë Familjare ka folur edhe për parandalimin e kancerit si dhe nevojën për këshilla mjekësore.
“Një jetë e shëndetshme dhe me pak stres, duke marrë edhe vitaminat e duhura përmes ushqimit, janë disa nga faktorët që parandalojnë zhvillimin e kësaj sëmundje, sipas Ibrahimit.
“Përpiquni të minimizoni stresin, bëni një jetesë të shëndetshme, bini në peshë, nëse jeni mbipeshë, mos harroni se lindja e fëmijës dhe ushqimi me gji janë shumë të rëndësishme për shëndetin e gjirit tuaj, mundohuni të keni një aktivitet të rregullt seksual, ushqehuni duke ndjekur një diete të caktuar. Hani ushqime që janë të pasura me vitaminë A, E dhe C, p.sh., karota, spinaq, kajsi dhe agrume. Është mirë që ato t‘i bëni pjesë të pandashme të dietës suaj ditore”, tha Ahmeti-Ibrahimi.
Tetori, në të gjithë botën njihet si muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. /Front Online